Kryeministri Edi Rama shpalos planet e qeverisë së re dhe rendit se cilat janë tetë prioritetet që do të ketë kabineti që nis punën në shtator.

Në një intervistë për Huffington Post Italia që monitoroi noa.al, Rama thotë se synohet mbyllja e historisë së strehimit të njerëzve që u dëmtuan nga tërmetet e vitit 2019.

Së dyti, synohet të zhduken pasojat e pandemisë COVID-19 që ka përfshirë vendin tonë nga marsi 2020.

Së treti, investimi në energjitë e rinovueshme, për t’u bërë në këtë dekadë një vend “eksportues neto” i energjisë;

Së katërti, mbyllja e rrethit të dixhitalizimit të shërbimeve publike për të mbyllur të gjitha dyert e burokracisë torturuese dhe për ta përfunduar atë me të gjitha llojet e radhëve të pritjes;

Së pesti, në lëmin arsimor, duke filluar këtë vit me gjuhën angleze që në klasën e parë dhe duke transformuar të gjithë sistemin e njohurive të teknologjisë në shkollë;

Së gjashti, transformimi i tre porteve të vjetra tregtare në porte turistike dhe ndërtimin e dy aeroporteve të reja për ta çuar turizmin në një nivel tjetër. Rama bëri të ditur kështu se jo vetëm porti kombëtar në Durrës, por edhe ato më Vlorë e Sarandë do të kthehen në porte për turizëm, kurse portet tregtare do të ndërtohen në mjedise të tjera, siç nisi sot porti kombëtar i mallrave të ndërtohet në Porto Romano, Durrës.

Po ashtu Rama shprehet i vendosur që vitin e ardhshëm dhe 2023, vendi të ketë 4 aeroporte. Pas atij të Rinasit dhe të Kukësit, edhe në Vlorë e Sarandë.

Në këtë kuadër, Rama thotë se do të bëhen të gjitha këto ndryshime, “duke u përpjekur të shmangim gabimet e së kaluarës në zhvillimin e bregdetit”.

Së shtati, qeveria do të përqendrohet edhe më shumë në rritjen e eksporteve të produkteve bujqësore.

Së teti, synohet të reduktohet sa më shumë korrupsioni, pasi siç tha ai “korrupsioni dhe burokracia paralizuese duhet të trajtohen pa pushim si armiq të sundimit të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve dhe zhvillimi i vendit duhet të jetë zhvillim i qëndrueshëm dhe t’i shërbejë qëllimeve afatgjata të drejtësisë sociale”.