SHBA u tërhoq nga Kabuli, por në Afganistan ekziston një provincë që po u hap telashe talebanëve. Ata quhen “Luanët e Panjshirit” dhe pavarësisht tërheqjes së forcave amerikane, ata  vazhdojnë luftën kundër talebanëve në Afganistan. Pretendimet janë se kanë vrarë dhjetëra talebanë që kanë tentuar të depërtojnë në zonën e tyre, teksa organizojnë sulmet e tyre të radhës.

Lugina Panjshir konsiderohet një kështjellë natyrore që nuk është pushtuar kurrë, për shkak të karakterit të saj malor por edhe grykave të ngushta, të cilat i bëjnë zonat “kurthe” për sulmuesit. E ndërsa nuk u mposhtën nga Rusia, sfida e radhës janë talebanët. Të dyja palët kanë humbur luftëtarë deri në atë pikë që zona konsiderohet e padepërtueshme.

Megjithatë, frika po rritet se talebanët mund të ndërmarrin një sulm masiv, duke përdorur armët amerikane duke përfshirë automjete dhe helikopterë. Sidoqoftë, luftëtarët e rezistencës pohojnë se ata kanë një arsenal të madh, të cilin e ndërtuan në mënyrë metodike, pasi kishin frikë se do të vinte dita kur do të kishin nevojë të merrnin armët.

Automjetet ushtarake dhe helikopterët shihen në një fushë futbolli, ndërsa fotografi të tjera tregojnë mitralozë në luginë. Politikani Fahim Fatrat, i cili është i lidhur me Aleancën Veriore, i tha “France24” se ata do të bëjnë atë që munden për një kohë të gjatë.

Ne jemi gati të luftojmë deri në pikën e fundit” tha një banor i luginës për “AFP”, duke shtuar se të gjithë në Panjshir kishin armë dhe mund të luftonin.