Shqipëria nuk do të ndryshojë thuajse aspak krahasuar me sfidat as në duelin shumë të rëndësishëm që luhet sot prej orës 20:45 ndaj Polonisë dhe që mund të vendosë fatet e kuqezinjëve në grupin I kualifikues përsa i përket garës për vendin e dytë.

Siç ka zbuluar Supersport, nga seanca e fundit stërvitore e kuqezinjëve nga stadiumi i Varshavës, Edi Reja do të propozojë sërish skemën 3-5-2, e pandryshuar që nga ardhja e tij në stolin e kombëatres.

Në portë do të jetë kapiteni Etrit Berisha, ndërsa 3-shja e qendrës së mbrojtjes do të përbëhet nga Kumbulla, Gjimshiti dhe Ismajli. Në mesfushë nga krahët do të veprojnë Hysaj dhe Trashi ndërsa në qendër do të aktivizohen Abrashi, Gjasula dhe Bare.

Në sulm trajneri Reja ka pasur më shumë dyshime, duke parë formën e mirë që po kalojnë Broja dhe Uzuni, gjithsesi në këtë repart do të konfirmohen Manaj dhe Cikalleshi.