A policeman walking next to the 12.6 km-long razor-wire fence in Nea Vissa, a village at Greek-Turkish border near Orestiada, some 900km north from Athens, on 17 October, 2012. The 3-meter-high fence designed to deter illegal immigrants from crossing the border.

Nga Andrew Rettman, Eu Observer

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë në plan të përsërisin premtimet e vjetra ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor në një samit që do të mbahet pas pak javësh. Por tani për tani nuk ka asnjë angazhim konkret për zgjerimin e unionit.

“Bashkimi Evropian rikonfirmon mbështetjen e tij të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor… e cila është në interesin tonë strategjik të ndërsjellë, dhe që mbetet zgjedhja jonë e përbashkët strategjike”- parashikohet të jetë qëndrimi i radhës i Brukselit në samitin e Bërdos në Slloveni që do të mbahet në datën 6 tetor, sipas një projekt-deklarate të parë edhe nga EU Observer.

Dokumenti flet për çuarjen përpara të “transformimit politik, ekonomik dhe social të rajonit”.“Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor, duhet të punojnë së bashku për t’u përballur me sfidat përcaktuese të kësaj gjenerate”-shton më tej projekt-deklarata.

Ajo do të nënshkruhet nga 27 udhëheqësit e BE-së dhe 6 liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë asaj që presidenca sllovene e unionit e cilëson si aktivitetin e saj kryesor në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të BE-së.

Po ashtu dokumenti propozon “mbajtjen e samiteve të rregullta“BE-Ballkani Perëndimor”, me takimin e radhës që parashikohet të jetë në fundin e vitit 2022. Por, përkundër fjalëve të bukura, pak njerëz presin ndonjë lëvizje këtë vit që të zhvendosë ndonjë nga pengesat kryesore për të përparuar me procesin e zgjerimit.

Tema kryesore e diskutimeve në samitin e Bërdos, do të jetë vetoja e vazhdueshme e Bullgarisë kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut. Draft-deklarata e BE-së thekson në lidhje më këtë çështje:“Zbatimi i traktatit mbi Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë mbetet shumë i rëndësishëm”. Por kjo vështirë se e zbut sadopak shëmtinë e kësaj situate.

Maqedonia e Veriut e ndryshoi emrin e saj për t’i pëlqyer Greqisë, dhe plotësoi të gjitha kushtet e vendosura nga Brukseli për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. Por pastaj Bullgaria vendosi veton ndaj një traktati mbi “marrëdhëniet fqinjësore”, që synon ta detyrojë Maqedoninë e Veriut të pranojë se gjuha dhe identiteti i saj janë historikisht bullgare.

Dhe në kushtet kur zgjedhjet e reja parlamentare bullgare do të mbahen në nëntor, Sofja nuk ka gjasa që të lëshojë tani për tani në lidhje me këtë çështje. “Sinqerisht, ne nuk presim asnjë vendim në lidhje me veton e Bullgarisë para samitit. Për shkak të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Bullgari… nuk ka shumë kohë për negociata”- deklaroi një diplomat i BE-së.

Ndërkohë, udhëheqësit e BE-së gjithashtu planifikojnë të thonë në samitin e Bërdos se “presin një përparim konkret nga të dyja palët, pra nga Kosova dhe Serbia, lidhur me normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis tyre, që është me një rëndësi jetike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit”.

Por ndërkohë dialogu Kosovë-Serbi është ende pezull. Palët u takuan për disa bisedime teknike në Bruksel në shtator, por kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vucic nuk arritën të bien dakord që të ulen së bashku në një tryezë.

Ndërkohë, qytetarët në Kosovë po presin me padurim heqjen e regjimit të vizave, në kushtet kur kanë plotësuar që në vitin 2018 të gjitha kriteret e BE-së. Por Danimarka, Franca dhe Holanda nuk duan që të merret tani një vendim në lidhje me këtë pikë, dhe vetë draft- deklarata e Bërdos nuk përmend në asnjë moment çështjen e vizave.

Po ashtu, ajo nuk përmend as çeljen e ndonjë kapitulli të ri në bisedimet e pranimit me

Malin e Zi ose Serbinë. Në vend të kësaj, ajo flet për mbajtjen jashtë kufijve të BE-së të refugjatëve, qasje që nxit një klimë politike e cila nuk stimulon aspak as heqjen e vizave për vendet e mbetura të Ballkanit por edhe zgjerimin e unionit në përgjithësi.

Udhëheqësit e BE-së planifikojnë të bëjnë sërish thirrje për shtimin e deportimeve dhe përshpejtimin e procedurave të ripranimit për azilkërkuesit. Gjithashtu, ata kanë në plan të  shprehin në deklaratën e samitit të ardhshëm frikën e një krize të mundshme për shkak të refugjatëve afganë.

“Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës në Afganistan, BE-ja është e gatshme të punojë ngushtë me të gjithë partnerët e saj, përfshirë Ballkanin Perëndimor, për të trajtuar sfidat në zhvillim”-thuhet në draftin, që mban datën 6 shtator.

Zgjedhjet në vendet kryesore të BE-së

Dhe në kushtet kur emigracioni mbetet një temë të nxehtë në zgjedhjet e ardhshme në Gjermani dhe Francë, disa analistë nuk presin ndonjë përparim të vërtetë në fushën e zgjerimit të unionit deri pas zgjedhjeve presidenciale franceze të prillit 2022.

“Këto nuk janë raste për të cilat vendet e Ballkanit Perëndimor mund të gjejnë vetë një zgjidhje”- thotë për “Euobserver”Adrian Arifaj, një ish ndihmës i qeverisë së Kosovës, i cili tani është drejtues i portalit demokracia.com në Prishtinë, duke iu referuar vetos së Bullgarisë dhe dialogu Kosovë-Serbi.

“Franca dhe Gjermania kanë qenë tradicionalisht motorët e ndryshimit në Ballkanin Perëndimor. Por tani ato janë më shumë të shqetësuara me zgjedhjet e tyre kombëtare. Kriza afgane do t’i japë një nxitje të gjithë atyre politikanëve në BE që janë kundër emigracionit, dhe që luajnë me çështje të tilla për qëllimet e tyre”- shton ai.

“Zgjedhjet presidenciale janë një prioritet për Francën vitin e ardhshëm, dhe para tyre nuk do të ketë shumë kohë për ne”- deklaroi një burim pranë qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Shkupi beson se Franca dhe Gjermania e mbështesin në një plan afatgjatë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.“E gjithë klasa politike gjermane e mbështet kërkesën tonë për negociata … Unë mendoj se vetëm partia AfD e së djathtës ekstreme në Gjermani është kundër saj”- theksoi më tej burimi.

Por ndërkohë ai shtoi:“Samiti i Bërdos nuk do t’i kushtohet zgjerimit të unionit. Përkundrazi, ne presim një angazhim të BE-së për një plan të rimëkëmbjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor”.

Zhgënjimi i radhës?

Ngjarjet e fundit në Malin e Zi, ku ndodhën protesta të dhunshme në lidhje mbi reformën e Kishës Ortodokse Serbe, përfshinin dorën e fshehur të Rusisë, dhe treguan sesi armiqtë e huaj po përfitojnë nga mungesa e BE-së në rajon.

Draft-deklarata e Bërdos flet gjithashtu për nevojën e luftës kundër “dezinformatave dhe kërcënimeve të tjera produkt i luftës hibride, sidomos nga ato që janë me origjinë nga aktorët e shteteve të treta, të cilët synojnë të minojnë perspektivën evropiane të rajonit”.

Ajo iu bën thirrje shteteve të Ballkanit Perëndimor që t’i bëjnë jehonë në komunikatat e tyre qeveritare “shkallës së paparë”të mbështetjes financiare të BE-së për rajonin. Kjo përfshin 30 miliardë euro fonde për periudhën 2021-2027, dhe 3.3 miliardë euro ndihmë në kuadër të situatës së vështirë që ka krijuar pandemia.