Zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj ka dhënë detaje pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Ahmetaj tha se kryeministri Edi Rama ka krijuar një grup ndërinstituacional që menaxhon dhe monitoron situatën për krizën energjetike.

Numri dy i qeverisë tha se kriza në fjalë e lajmëruar më herët nga kryeministri vjen për shkak të faktorëve në tregun global. Ahmetaj tha se grupi i punës i ngritur nga kryeministri ka si qëllim të mbrojë konsumatorët dhe bizneset e vogla nga kjo krizë, që pritet të sjellë çmime të larta. Zv.kryeministri tha gjithashtu se brenda javës, Rama do të shpalosë edhe masat e reja.

“Kam bërë një informacion mbi kabinetin për situatën e krizës energjetike. Situata energjitike është konseguencë e krizën globale. Ne fatmirësisht kemi zgjedhur 30 vite më parë të jemi në një ekonomi tregu. E keni dëgjuar, lexuar, se çfarë është duke ndodhur në tregun ndërkombëtar të energjisë elektrike. Një kombinim tërësor faktorësh, që përfshin që nga shtimi i kërkesës për energji, për shkak të sjelljes së Rusisë, apo të furnizimit të energjisë. Çmimet lëvizin ditë për ditë. Sot Spanja e ka 260 euro, Gjermania e njëjta gjë. Ndërsa një pjesë e mirë e vendeve  kanë transferuar koston te konsumatorët. Kryeministri ka ngritur një grup që e drejton vetë për të menaxhuar çdo moment ecurinë e situatës energjetike. Do t’i referohem asaj që ka thënë para disa ditësh që vala e çmimeve ndërkombëtare prek edhe brigjet e Shqipërisë. Por jemi të gatshëm që të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël. Dua ta ndaj këtë me qytetarët, shumë shpejt brenda javës kryeministri do të shpalosë vetë masat për mbrojtjen e qytetarëve. Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë konsumatorin nga kriza energjetike dhe rritja e kostove,” tha Ahmetaj.