Ditën e djeshme deputeti demokrat Oerd Bylykbashi me anë të një postimi në rrjetet sociale u shpreh se Partia Socialiste i ka ofruar një marrëveshje Partisë Demokratike, në lidhje me zgjatjen e mandatit të anëtarëve të vetingut.

Sipas Bylykbashit, nëse PD do të pranonte zgjatjen e mandateve, atëherë PS dotë binte dakord për shtimin e disa bashkive në Hartën Territoriale. Por këto aludime kanë shkaktuar një përplasje mes tij dhe kryedemokratit Basha në mbledhjen e Kryesisë së PD, e cila zgjati rreth 2 orë, raportojnë mediat vendase.

Basha ka ngritur tonet ndaj deputetit dhe e ka kritikuar qëndrimet publike të Bylykbashit, teksa drejtuesit e Grupit Parlamentar e kanë pyetur deputetin nëse ishte kontaktuar nga mazhoranca, por diçka e tillë është mohuar nga Bylykbashi.

Kujtojmë se Oerd Bylykbashi është një nga 8 deputetët që i janë bashkuar “Foltores” së ish-kryeministrit Sali Berisha, me këtë të fundit që kërkon largimin e Lulzim Bashës nga PD.