Një familje në Belgjikë ka përjetuar një eksperiencë të frikshme kur tentoi të kalonte urën “Marie Thumas” në qytetin e Leuven-it teksa ishte aktivizuar procesi i ngritjes së urës për të kaluar një anije.

Videoja prej 18 sekondash tregon makinën e kuqe mbi urë. Për shkak të pjerrësisë, automjeti rrëshqet mbrapsht me këmbësorët pranë që duken tepër të frikësuar. Me ngritjen e urës përfundimisht makina bie në rrugë dhe përmbyset. Brenda makinës ndodheshin një çifti dhe fëmija i tyre 1.5 vjeç.

Tre pasagjerët kanë mbetur të bllokuar në makinë dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses për t’i nxjerrë. Më pas u dërguan në spitalin Gasthuisberg në Leuven, pa lëndime serioze.

Kompania, e cila ka marrë përsipër menaxhimin e urës, po kryen një hetim në bashkëpunim me autoritetet, për të përcaktuar se si ka ndodhur aksidenti. Deri në përfundimin e hetimeve, ura lëvizëse do të qëndrojë e mbyllur edhe për këmbësorët.