Udhëheqësit botërorë duhet të rrisin luftën kundër ndryshimeve klimatike, paralajmëroi të premten kryeministri britanik Boris Johnson, duke theksuar se qytetërimi mund të shembet po aq shpejt sa Perandoria Romake nëse nuk bëhet më shumë.

Johnson, i cili i bëri komentet vetëm disa orë përpara fillimit të samitit dy-ditor të liderëve të “G20”-ës në Itali, tha se brezat e ardhshëm do të përballen me urinë, konfliktin dhe migrimin masiv nëse nuk do të bëhej më tepër për të trajtuar ndryshimin e klimës.

Nuk ka dyshim se ky është realiteti me të cilin duhet të përballemi” u tha ai gazetarëve, duke paralajmëruar se kushtet e jetesës mund të përkeqësohen me shpejtësi nëse bota nuk ndryshon kursin.

Ne e pamë këtë me rënien e Perandorisë Romake dhe më vjen keq ta them këtë, por është ende e vërtetë sot”, tha ai.

Kjo është hera e parë në dy vjet që shumica e udhëheqësve të “G20”-ës ka arritur të kenë diskutime ballë për ballë për shkak të Covid-19.

Kriza shëndetësore dhe rimëkëmbja ekonomike do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të bisedimeve, por diskutimi më i vështirë dhe më i rëndësishëm do të përqendrohet në atë se sa larg duan të shkojnë udhëheqësit në mënyrë që të zvogëlojnë sasinë e gazeve serrë të lëshuara në atmosferë dhe të ndihmojnë vendet më të varfra të përballen me ngrohjen globale.

Vendet e G20-ës, të cilat përfshijnë Brazilin, Kinën, Indinë, Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara, përbëjnë më shumë se 80% të PBB-së botërore, 60% të popullsisë së botës dhe emetojnë rreth 80% të dioksidit të karbonit.

Shumë liderë pas Romës do të udhëtojnë në Glasgow për të marrë pjesë në Samitin e Klimës së OKB-së (COP26). Ai konsiderohet jetik në trajtimin e kërcënimit të rritjes së temperaturave globale dhe efekteve të tij, si rritja e nivelit të detit, stuhitë, përmbytjet dhe thatësirat.

Pak para COP26 në Glasgow, të gjitha rrugët drejt suksesit kalojnë përmes Romës”, tha dje Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

Megjithatë, pritshmëritë për përparim të rëndësishëm kanë rënë pas vendimit të presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut të tij rus Vladimir Putin për të mos udhëtuar në Glasgow dhe për të marrë pjesë në samit online.

Shpresat e presidentit amerikan Joe Biden për të provuar se vendi i tij tani është në ballë të luftës kundër ngrohjes globale janë shuar pasi ai nuk arriti të bindë demokratët këtë javë për të mbështetur një paketë shpenzimesh mjedisore dhe mbështetje për ekonominë prej 1.85 trilionë dollarë.