Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi në emisionin Opinion se është kërcënuar me përshkallëzim të sanksioneve ndaj tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse nuk tërhiqet nga beteja e tij në gjykatë që ka bërë ndaj Sekretarit amerikan Blinken për shpifje.

Por Berisha u shpreh se nuk do të tërhiqet dhe do të vazhdojë betejën e tij në gjykatë.

Sali Berisha: Sali Berisha ka bërë të qartë qëndrimin e tij. Së pari, shpallja e tij non grata ka qenë rezultat i padiskutueshëm i lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros. Unë kam bërë vetëm një veprim, i jam drejtuar gjykatës në Paris për shpifje dhe kam paditur Sekretarin e Shtetit për shpifje. Nuk kam bërë asnjë veprim tjetër. Kam deklaruar se nuk pranoj asnjë lloj lobimi, jam kërcënuar se do t’i dërgojnë të gjitha në Thesar.

Blendi Fevziu: Po, mund të përshkallëzohen tensionet.

Sali Berisha: Ka qenë e prerë përgjigjia ime: Bëni ç’të doni, gjithçka është e bazuar në shpifje trillime dhe unë do mbetem vetëm në gjykatë. Përballja ime me deklarimin non grata është përballje në gjykatë, është një vendim politik i marrë nën lobimin korruptiv të George Soros pa asnjë fakt, pa asnjë dokument. Do merren vesh gjërat dhe do shihet çfarë turpi janë në ato dosje.

Sa i përket vizitës së zyrtarit të lartë amerikan Escobar që zhvilloi në Tiranë, Berisha theksoi se në asnjë rast nuk do të tërhiqet nga beteja e tij.

“Nuk do të tërhiqem më asnjë rrethanë dhe në asnjë rast. Sali Berisha është në një mision të ri. Dua t’i them z.Shehu është e vërtetë që PD duhet të kishte udhëheqës tjetër por dallimi im me Lulzim Bashën është shumë i madh. Lulzim Basha pas humbjes nuk jep dorëheqjen. Sali Berisha i humbi zgjedhjet dha dorëheqjen.

Njerëzisht do t’i sugjeroja z.Escobar, ai përcakton vetë axhendën, por kombet e vjetra kanë problematikat e tyre. Por në fakt janë esencialë. Kukullat nuk i pranojnë. Kështu që nga kjo mbështetje përfiton vetëm qeveria. Kjo është punë tjetër”.

Foltoren e tij me demokratët, Berisha e konsideron lëvizjen më të lirë pas Dhjetorit të vitit 1990.

“Pas 11 Dhjetorit 1990, Foltorja dhe Kuvendi produkt i saj është tubimi më i lirë në historinë e këtij vendi por mundet edhe në historinë politike të Europës. Është i pari i këtij lloji që pavarësisht nga çdo presion thirret nga shumica e delegatëve për faktin se ndjehen njerëz të lirë dhe duhet të mbështesin kauzën e lirisë. Kjo është dëshmi se ata janë njerëz të lirë”.