Autoritetet italiane pas më shumë se dy vitesh kanë arrestuar autorin e vrasjes së kapos së tifozëve të Lacios, Fabrizio Piscitelli, i njohur edhe si “Diaboliku” i cili u ekzekutua në 7 gusht 2019 në një pritë në Romë. Autori i vrasjes është Raul Esteban Calderon.

Mediat italiane shkruajnë se autori i krimit është i njëjti njeri që bashkëpunoi për vrasjen e Selavdit Shehajt në 20 shtator 2020 në plazhin e bregdetit romak. Për vrasjen e shqiptarit është arrestuar Enrico Bennato.

Misteri se cfarë i lidh këto dy ngjarje ende nuk është zbuluar. Paraprakisht autoritetet italiane theksojnë se dy krimet i bashkojnë jo vetëm atentatorët, por edhe konteksti.

Vrasja e shqiptarit ndodhi në të njëjtën mënyrë si e kapos së tifozëve të Lacios. Dy persona me motor me maska arritën në plazh dhe qëlluan nga një distancë e shkurtër shqiptarin.

Në këtë rast vendimtare kanë qenë dëshmitë e mbledhura nga karabinierët dhe këqyrja e videove para dhe pas krimit.

Lidhjet e “Diabolikut” me botën e krimit shqiptar dhe pazaret e drogës në kryeqytet janë dokumentuar nga hetimet.