Kreu i PD-së Lulzim Basha ka thënë se Kuvendi Kombëtar sot do të zgjedh heqjen e sundimit të “njëshave” në parti. Po ashtu Basha ka theksuar se do të zgjedhin të ardhmen me SHBA dhe BE për të çliruar Shqipërinë nga sundimi i oligarkëve politik e ekonomik.

Kuvendin Kombëtar për të riorganizuar PD vjen  pas kundërshtive që lindën në radhët e saj lidhur me përjashtimin e ish kryetarit Berisha nga grupi parlamentar, si politikan i përcaktuar i papërshtatshëm nga SHBA.

Për Bashën, ish kreu i PD Sali Berisha, synoi që të kthente partinë në mburojë personale por sipas tij PD nuk është pronë e askujt por pasuri e demokratëve.

Diplomatët amerikanë janë shprehur se nuk takohen me persona non grata si Sali Berisha dhe nuk do të komunikojnë me PD-në, nëse ai kthehet aty. Ndërsa Basha theksoi se Berisha synoi që të kthente PD në “non grata”

“Për ta detyruar PD të hyjë në konflikt me SHBA. Për mburojë të problemit personal të ish kryetari. Më takonte mua të kthehesha në rrufe pritës në akuzat që vërshojnë si lum. Të mos dëgjoja këngën e sirenave që sot janë orkestër për të denigruar mua dhe ekipin tim. Synojnë shmangien e të vërtetës, Unë i kam pranuar këto rrufe dhe shigjeta dhe i pranoj me lehtësinë më të madhe s e di që i bëj për PD. Kjo është një dramë mbi demokratët. Nga padrejtësia e 25 prillit në interes të një personi. Por unë nuk mund ta pranoja. Ne nuk e lejojmë këtë se PD nuk është pronë e askujt por pasuri e demokratëve.”

Sipas Bashës, fitorja e PD nuk vjen kurrë duke pasur persona “non grata” në krye të saj.

“Fitorja nuk vjen kurrë duke pasur një non grta një person. Apo duke kthyer të gjithë partinë në non grata. Ndaj çfarë ka ndodhur pas 9 shtatorit po na ndryshon. Sot zgjedhim të ndryshojmë për mirë. Si do jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër. Është një akt i vetëdijshëm.

“Ndaj edhe ky Kuvend i jashtëzakonshëm zhvillohet si një akt i vetëdijshëm dhe i një përgjegjësie të lartë nga ana e Partisë Demokratike dhe e imja personalisht, për një moment shumë jetik, thelbësor, dhe pa të dytë në historinë tonë si parti politike.

Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare, dhe pa asnjë diskutim i takon të jetë aty ku Shqipërisë dhe shqiptarëve ju takon të jenë, te pozita e natyrshme në qytetërimin perëndimor.

Ky Kuvend i jashtëzakonshëm mblidhet për të vendosur më qartë se kurrë: 

-a do të zgjedhim të ardhmen;

-a do të zgjedhim të heqim nga supet e Shqipërisë dhe shqiptarëve,  zgjedhën e sundimit  të  njëshave, zgjedhën e sundimit të kastës tridhjetvjeçare, që ka marrë peng demokracinë për interesat e pushtetit dhe pasurisë marramendëse që kanë grumbulluar në rrugë të paligjshme e kriminale, zgjedhën e pandëshkueshmërisë që për turpin e tyre e kanë ngritur në sistem, për për të përjetësuar  pushtetin e pak njerëzve;

-A do të zgjedhim bashkëudhëtimin tonë të pandalshëm e fatlum me aleatët dhe miqtë tanë të çmuar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Europian, që si asnjëherë tjetër më parë kanë vendosur dhe po veprojnë për ta ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët,  për t’i çliruar nga  sundimi i tmerrshëm i oligarkëve politikë dhe ekonomikë dhe për të rimarrë, më hovshëm se kurrë, kursin e demokracisë normale të vlerave;

-A do të zgjedhim këtë betejë, ketë shans që nuk vjen shpesh?

-Me një fjalë tjetër të vetme, a do të zgjedhim fitoren?

-Apo do të zgjedhim  të shkuarën?

-Apo do të zgjedhim nënshtrimin?

-Apo do të zgjedhim humbjen e busullës nga u nisëm në dhjetor të vitit 1990?

Kjo është një zgjedhje politike dhe atdhetare, një zgjedhje mençurie dhe largpamësie, një zgjedhje mirënjohje dhe besnikërie ndaj ëndrrës shekullore dhe popullore shqiptare për Shqipërinë si Europa, për Shqipërinë në miqësi të përjetshme me SHBA.” tha Basha.