Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi policinë e shtetit se mbrëmjen e djeshme ka dhunuar disa prej protestuesve. Ai i dërgoi një paralajmërim Edi Ramës.

Protesta pati një jehonë të gjerë botërore. Falënderoj të gjitha mediat që e kanë përcjellë me objektivitet. Dënoj disa akte brutale të policisë, narko-policisë, e cila ka arrestuar mbrëmë njerëz të pafajshëm, i ka keqtrajtuar adoleshentët në furgona, veçanërisht narko-banditë të komisariatit nr. 2. 

Unë jam sot këtu për të paralajmëruar narko-policinë se revolucioni ynë paqësor nuk do të tolerojë dhunimin e të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimin çnjerëzor të pjesëmarrësve në protesta apo lëvizjet revolucionare. 

Mbrëmë deri në orën një të natës në qelitë e komisariateve me urdhër të Ramës janë mbajtur adoleshentë dhe burra të moshuar 84-vjeçar. Falënderoj anëtarët e komisionit të rithemelimit, të cilët kanë ndjekur në cdo orë situatën në komisariatet 1 dhe 2. 

Me gjithë absurditetin e ndalimit pa asnjë motiv, komisariati nr. 1 nuk i ka keqtrajtuar të ndaluarit, gjë të cilën e ka bërë narko-policë dhe banditë të komisariatit nr. 2. Paralajmërimi i fundit është të mos dhunojnë asnjë të drejtë njerëzore” tha ai.

Sali Berisha tha se Lulzim Bashën do ta njoftojë me një letër që Kuvendi i 11 Dhjetorit dhe Referendumi i 18 Dhjetorit e kanë shkarkuar.

Sot komisioni i përkohshëm i drejtimit të PD-së ka vendosur të fillojë menjëherë nga puna për zbatimin e vendimeve të Kuvendit të 11 Dhjetorit të rithemelimit të PD-së. Gjerë më datë 22 mars të gjitha strukturat e kësaj partie duhet të shndërrohen në struktura të anëtarëve të PD-së të cilët do të vendosin me votën e lirë për drejtuesit e tyre, forumet e tyre. 

Kjo është një punë intensive. Komisioni vendosi t’i komunikojë deputetit Lulzim Basha vendimet supreme, të anëtarësisë së PD-së në aktin më historik të lirisë sikur ishte referendumi i datës 18. Ky akt ishte shkarkimi. Akt protokollar dhe jo detyrim. Deputetit Basha do i dërgohet një shkresë ku do të njoftohet me shkrim për këtë vendim” tha ai.

Ish-kryeministri Sali Berisha hyri me forcë në selinë e PD-së. Mesditën e sotme grupi i udhëhequr nga Sali Berisha u drejtua për në selinë blu me anëtarët e komisionit të rithemelimit dhe mbështetësit.

Lideri historik i PD-së u ngjit në katin e dytë të godinës. Dyert e sallave ishin të mbyllura, por njëri prej mbështetësve të Sali Berishës e hapi derën me forcë duke e goditur me shkelm duke u futur brenda.