Vendet në të gjithë Evropën po shtrëngojnë kufizimet ndërsa infeksionet rriten dhe varianti i ri “Omicron” përhapet në kontinent. Edhe në Shqipëri janë zbuluar dy rastet e para të variantit të ri “Omicron.”

Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini, në një intervistë televizive tha se 2021 ishte një vit i dytë pandemie dhe në çdo aspekt jemi më të forcuar se një vit më parë. Tomini tha se do të shtojnë bashkëpunimin me terrenin dhe komunikimin me qytetarët.

Tomini: Kemi vend akoma për më shumë dhe të gjithë bashkë në bazë të ndërveprimit institucional dhe ndërveprimit të sektorëve duhet të jetë një bashkëpunim që do japë fryte.

Tomini tha se ky lloj virusi ka treguar një transmetueshmëri më të lartë, por në Shqipëri dominon Delta. Transmetueshmëria e “Omicron” është 70% më i transmetueshëm se sa varianti Delta.

Tomini: Duhet thënë që në dukje “Omicron” po jep një klinikë pak më të lehtë se sa Delta, nuk po shfaqen shenjat karakteristike si humbja e nuhatjes, por evidentohet edhe prekje e moshave të reja, e moshave fëminore. Janë disa karakteristika të cilat duhet të konsolidohen me kalimin e javëve, por transmetueshmëria është evidente. Prezenca e tij në 110 vende tregon që ka transmetueshmëri më të lartë.

Cili do të jetë roli i Omicrom në zhvillimin e pandemisë?

Tomini tha se Covid në bazë të mutacioneve, duke pasur dhe një pabarazi në kryerjen e vaksinimit në mbarë botën ka treguar që ka gjetur terren edhe në zhvillimin e mutacioneve.

“Sipas parashikimeve, OBSH ka paraqitur një tendencë në rritje të transmetueshmërisë së “Omicron” në janar. Prezenca e virozave të tjera shpresojmë ta zbusë agresivitetin klinik të “Omicron” apo varianteve të tjera që mund të shfaqen.”

Vaksinat dhe efektiviteti i tyre ndaj “Omicron”

Tomini tha se doza booster forcon imunitetin aktual.

Tomini: Doza booster (të kujtesës) ndikon në rritjen e antitrupave dhe ka treguar që ka efekt te Omicron. Sipas udhëzimeve të ISHP, doza e tretë rekomandohet në muajin e 6 pas aplikimit të dozës të dytë.

Më tej, Tomini tha se kombinimi i vaksinave është efektiv dhe rekomandohet nga mjeku i familjes duke zbatuar protokollin.