Teksa shifrat e Covid-19 rriten çdo ditë si pasojë e variantit Omicron, disa ekspertë thonë se shkakton sëmundje më të lehtë se “Delta”.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, epidemiologu Ilir Alimehmeti tregon se përpos studimeve të bëra në Afrikën e Jugut, Skoci dhe në Angli, rezultate të ngjashme pozitive vijnë edhe nga një studim i kryer në Kanada.

Sipas Alimehmetit, në studimin që u krye nga Instituti i Shëndetit Publik të Ontarios u morën në studim 11.622 raste me Omicron dhe u krahasuan me 14.181 raste me Delta.

Rastet me Omicron dhe rastet me Delta ishin njësoj për sa i përket moshës, gjinisë, vaksinimit, kohës së kaluar pas vaksinimit, rajonit dhe datës së fillimit të sëmundjes.

Autorët e studimit të kryer në Kanada kanë dalë në përfundimin se rezultatet e hulumtimit të tyre janë në një linjë me rezultatet e Afrikës së Jugut, Skocisë dhe Anglisë, ku të gjitha studimet tregojnë reduktim të ndjeshëm të riskut për shtrim në spital nga varianti Omicron.

“Omicron” duket se ka rëndesë më të ulët të sëmundjes qoftë për të vaksinuarit, qoftë për të pavaksinuarit.

“Me këtë variant risku për hospitalizim është më i ulët, nuk është zero, por është më i ulët. Edhe i humbjeve të jetëve është më i ulët. Do ta shohim një efekt, por disa ditë më pas. Ka hyrë që në fillim, disa javë më parë, por ka patur më pak raste, tani po shtohen. Ne kishim dominimin e deltës, tani dominimin po e merr Omicon, por efektin e vërtetë do ta shohim pas 10 ditësh. Por ajo që kemi parë në botë spitalet nuk janë mbushur si me variantet e tjera. Shumë shtete kanë bërë krahasime me deltën dhe thanë që risku është më i ulët shtrimi në spitale me Omicron.

Studimet tregojnë se është një variant më i transemtueshëm sepse shumohet shumë në grykë dhe hundë, por shumohet më pak në mushkëri. Për format e rënda është lajmi i mirë është se risku është goxha i ulët, nga 67%-83%.

Si çdo maratonë xhiroja e fundit është me një sprint më të fortë dhe duket se ky sprinti është Omicron. Kjo është ajo vala që nuk do lerë njeri pa kapur dhe që ne shpresojmë që në fund të kësaj të jetë vendosur imuniteti kolektiv. Kalkulimet janë që në pranvere ne të kemi dalë nga faza akute e pandemisë dhe më pas të flasim për endemi”, shkruan Ilir Alimehmeti.