Avokati Spartak Ngjela ka komentuar sërish situatën në selinë blu, ku prej muajsh vijon beteja për pushtet. Në një postim në rrjetet sociale, Ngjela argumenton sipas tij arsyet pse Sali Berisha nuk i drejtohet gjykatës, për t’i marrë kështu në këtë mënyrë drejtimin e partisë, Lulzim Bashës, të cilit ia besoi rreth 9 vite më parë.

Sipas avokatit, Berisha lodhet kot pasi ai nuk ka asnjë akt juridik gjyqësor që të provojë se ai, me të gjithë grupin e tij, ka bërë një lëvizje ligjore.

Postimi:

Kot lodhet Saliu.

Nuk ka një vendim gjykate që të vërtetojë se ai ka bërë një kongres ligjor të Partisë Demokratike.

Kot së koti lodhet; nuk ka asnjë akt juridik gjyqësor që të provojë se ai, me të gjithë grupin e tij, ka bërë një lëvizje ligjore dhe ka nxjerrë një akt juridik të vlefshëm për të rrëzuar Lulzim Bashën, kryetarin aktual dhe të zgjedhur në rrugë ligjore të Partisë Demokratike.

Pyetja është: derisa ka të drejtën e tij të shkelur; pse Saliu nuk i drejtohet gjykatës?

Përgjigjja është shumë e qartë: sepse ai nuk ka një të drejtë ligjore që i është shkelur.

Dhe këtu mbyllet gjithçka.

Një e drejtë e shkelur, zgjidhet vetëm me një vendim gjyqësor. Rruga e forcës, është vepër penale.