Prej 3 ditësh, qytetarët në Ukrainë po përjetojnë tmerre dhe makthe, por jo gjithçka po shkon siç duhet edhe për presidentin rus Vladimir Putin.

Ndonëse dha urdhrin për të marrë kontrollin e Ukrainës duke bërë të mundur që forcat ruse të hynin në vend, po i shkaktohet dëm i madh ekonomik Rusisë.

Sipas medias britanike Daily Mail, ky pushtim i Putinit i kushton ekonomikisht Rusisë 15 miliard paund në ditë ose 17.8 miliardë euro.

Trupat ruse nisën një sulm të gjerë ndaj Ukrainës të enjten, ndërsa Presidenti Vladimir Putin shpërfilli sanksionet ndërkombëtare dhe paralajmëroi vendet e tjera se çdo përpjekje për të ndërhyrë do të çonte në “pasoja që nuk i keni parë kurrë”.

Shpërthime të mëdha u dëgjuan para agimit në Kiev, Kharkiv dhe Odesa ndërsa liderët botërorë dënuan fillimin e këtij pushtimi që mund të shkaktojë viktima masive.