Një ditë të shkëlqyer për vendin, por të vonuar, e ka konsideruar presidenti Ilir Meta vendimin e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë. Në një deklaratë për mediat kreu i shtetit së bashku me urimin e tij përcolli edhe mesazhin për institucionet, për kryerjen sa më parë të detyrave që kërkon ky proces në mënyrë që të mos zgjasë 30 vite.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e fushatave që duan ta dekurajojnë dhe ta minojnë të ardhmen europiane të vendit.

“Përshëndes vendimin strategjik të BE-së për nisjen e negociatave me Bashkimin Europian. E sotmja edhe pse një ditë e vonuar është një ditë e shkëlqyer për Shqipërinë. Është një gur kilometrik i vendosur nga shqiptarët dhe partnerët tanë. E sotmja është një ditë e shkëlqyer për rajonin tonë, një ditë vendimtare për të ardhmen ku duhet të ballafaqohemi me realitetin ashtu siç është. E vërteta është se kemi humbur shumë kohë, dokumenti i zbuluar nga BE-ja është pasqyra që na zbulon luhatjet çorientimet dhe punët e pabëra apo të bëra keq. Përmban kushtet e Bundestagut, vërejtjet e Francës dhe shqetësimet e shprehura në rezolutën e fundit të BE. Transformimi kërkon kohë, mund dhe punë të vazhdueshme. U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e fushatave që duan të na dekurajojnë dhe ta minojnë të ardhmen europiane, anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ia vlen çdo përpjekje e sakrificë, sepse është e vetmja rrugë që garanton që shtëpia jonë e përbashkët të ketë atë paqen e begatinë që bashkatdhetarët tanë e kërkojnë në Francë, Gjermani e Britani dhe vende të tjera. U bëj thirrje institucioneve që të reflektojnë për kryerjen e detyrave urgjente konkrete që kërkon ky proces. Është në dorën tonë që të kalojnë 5 apo 30 vite të tjera. Urime të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe miqve tanë që sot i kemi më të afërt se dje”.