Shkencëtari britanik James Lovelock është ndarë nga jeta në moshën 103-vjeçare. Lovelock lindi më 26 korrik 1919 në Letchworth Garden City në Mbretërinë e Bashkuar. Ai njihet si shkencëtari i mjedisit dhe krijuesi i teorisë Gaia, e cila hipotezon se Toka vepron si një organizëm i vetëm i gjallë.

Lovelock vdiq të martën “i rrethuar nga familja e tij në ditëlindjen e tij të 103-të”, thuhet në një deklaratë nga familja e tij e lëshuar për “The Guardian” dhe e shpërndarë në mediat sociale.

“Për botën, ai ishte më i njohur si një pionier shkencor, profet i klimës dhe konceptues i Teorisë Gaia”, thuhet në deklaratë. “Për ne, ai ishte një bashkëshort i dashur dhe një baba i mrekullueshëm me një kuriozitet të pakufishëm, një sens humori të djallëzuar dhe një pasion për natyrën.”

Familja e Lovelock tha se deri gjashtë muaj më parë, “ai ishte ende në gjendje të ecte përgjatë bregdetit pranë shtëpisë së tij në Dorset dhe të merrte pjesë në intervista”, por shëndeti i tij ishte përkeqësuar kohët e fundit.

Të gjithë e njohin atë si babain e Gaias, teoria që planeti ynë mund të përshkruhet si një qenie e gjallë e madhe, e aftë për vetërregullim, por James Ephraim Lovelock ishte shumë më tepër. Ai filloi kërkimet e tij në mjekësi. Më pas zhvilloi disa sensorë për matjen e ndotjes së ajrit që çuan në zbulimin e pranisë së klorofluorokarboneve (CFC), molekulat përgjegjëse për vrimën e ozonit ( që më vonë u ndaluan nga industria). Disa nga eksperimentet e tij janë përdorur nga NASA për të kërkuar jetë në Mars.

Ai ka parë dhe përjetuar përparimin e shkencës gjatë dekadave, duke e bërë atë gjithmonë si një ndeshës i lirë dhe duke thyer skemat. Edhe kohët e fundit kur ai hipotezoi një të ardhme kibernetike.

James Lovelock ishte një nga shkencëtarët më me ndikim të kohës sonë. Ai punoi për qeverinë britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe më vonë në vitet 1970 për NASA-n në misionin Viking në Mars. Pikërisht atëherë ai u frymëzua për të zhvilluar hipotezën Gaia, idenë se Toka është një sistem i ndërlidhur dhe vetërregullues. Në librin e tij të ri Novacene: Epoka e ardhshme e hiperinteligjencës, ai argumenton se “epoka antropozoike” e ndikimit njerëzor në Planet është gati të përfundojë dhe se një tjetër është gati të fillojë, e cila do të shohë qeniet superinteligjente si protagonistë.