Vajza e një bashkëpunëtori të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin u vra pranë kryeqytetit Moskë. Sipas komisionit hetimor në Rusi, Daria Dugina humbi jetën pas shpërthimit të automjetit me të cilin po udhëtonte. Mendohet se babai i saj, filozofi Alexander Dugin, i njohur si “truri” apo Rasputini i Putinit, mund të ketë qenë shënjestra e sulmit.

Dugin është një ideolog ultra-nacionalist, mjaft i afërt me numri një të Kremlinit. 60-vjeçari dha vajza e tij ishin ftuar në një festival që zhvillohej pranë Moskës, në një prej ndërtesave ku dikur kishte jetuar Aleksander Pushkin. Babë e bijë duhet të ktheheshin me të njëjtin automjet për në shtëpi, mbrëmjen e së shtunës, para se Dugin të vendoste të udhëtonte vetëm, në momentet e fundit.

Video të paverifikuara të cilat janë shfaqur në internet tregojnë bashkëpunëtorin e Putin në gjendje shoku para automjetit të shkrumbuar, teksa shërbimet e emergjencës mbërrijnë në zonë. Hetuesit konfirmuan se Daria kishte vdekur në vend si pasojë e shpërthimit në automjetin e saj. 30-vjeçarja ishte gazetare e njohur në vend, e cila kishte mbështetur zëshëm pushtimin e Ukrainës. Më herët, gjatë vitit ajo ishte sanksionuar nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, për dezinformimin lidhur me luftën ruse.