Duhet të bëjmë të pamundurën për t’i dhënë fund luftës brenda fundit të vitit. Ishte ky mesazhi i qartë që i përcolli presidenti Volodymyr Zelensky liderëve të G7-s, të mbledhur për një samit 3-ditor në gjermani.

Ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet rreth vendit, duke goditur me breshëri raketash edhe Kievin, presidenti ukrainas u kërkoi 7 më të fuqishmëve të botës më shumë armatime të rënda, sisteme të mbrojtës ajrore, mbështetje për zhbllokimin e eksporteve të grurit, sanksione të mëtejshme për Rusinë si dhe ndihmë për rindërtimin e vendit. Lufta në Ukrainë është në krye të agjendës së samitit të ekonomive më të zhvilluara, në alpet bavareze. Liderët po përpiqet të shfaqin një front të bashkuar kundër Rusisë, por kancelari Olaf Scholz e bëri të qartë se duhej të shmangnin konfliktit NATO-Moskë.

“Po diskutojmë mbi të gjitha çështjet në agjendë, veçanërisht mbi nevojën e të qenit të bashkuar në mbështetjen për Ukrainën dhe kundër agresionit rus. Por ndërsa ndihmojmë Ukrainën duhet gjithashtu të shmangim një konflikt të madh mes Rusisë dhe NATO-s”, tha Scholz.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, këmbëngul për një linjë të ashpër me Rusinë. “Për sa kohë Zelensky nuk ka firmosur një marrëveshje për paqen, ne duhet të vijojmë të mbështesim Ukrainën”, tha Johnson, duke theksuar se situata në lindje dhe juglindje të vendit është shumë e vështirë. Sakaq, sipas burimeve te cituara nga “France Press” pranë samitit të G7 në Gjermani, Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë në Ukrainë raketë anti-ajrore me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi.