Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga mbyllja e merkatos së verës, telenovela Cristiano Ronaldo vijon. Emri i portugezit mbetet kryefjala e transferimeve, ndërsa së fundmi kampionati italian është kthyer në destinacionin më të mundshëm.

Sipas mediave italiane, 37-vjeçari ka pranuar t’i bashkohet Napolit, ndërsa Manchester United kërkon me ngulm yllin e skuadrës napoletane, Viktor Osimhen. Siç raportohet, “Djajtë e kuq” kanë gati 100 milionë euro plus Cristiano Ronaldon në formë huazimi, deri në fund të sezonit.

Por, kushtet e kësaj goditjeje nuk ndalen me kaq. Presidenti De Laurentis kërkon që “Djajtë e kuq” të paguajnë të gjitha komisionet e transferimit të sulmuesit dhe përveç kësaj, do të jetë skuadra angleze ajo që duhet të paguajë dhe 80% të pagës së Ronaldos.

Vetë portugezi do ta dëshironte me çdo kusht këtë transferim dhe ka dhënë dritën jeshile për t’u bërë pjesë e italianëve, gjë që do t’i garantonte edhe Ligën e Kampioneve.

Nga ana tjetër, trajneri i Napolit, Luciano Spalletti, nuk e përjashtoi mundësinë e nënshkrimit me Cristiano Ronaldon, duke theksuar se çdo trajner do të ishte i lumtur të punonte me të.