Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi, pas dy muajsh shtyrje të njëpasnjëshme, raportin e auditimit të fondeve të shpenzuara nga partitë politike në fushatën e parlamentareve të vitit 2021.

Sipas këtij raporti, 13 subjekte garuese, mes të cilave Partia Socialiste dhe Partia Demokratike u konstatuan në shkelje të Kodit Zgjedhor, për këtë arsye, Celibashi i propozoi KAS gjobitjen e tyre.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve konstatoi abuzimet me shpenzimet në fushatë zgjedhore të pjesës dërrmuese të partive garuese për parlamentaret e vitit 2021.

Gjoba e propozuar për mazhorancën ishte edhe më e larta me një vlerë totale prej 5.5 milionë lekësh për tejkalimin e kufirit maksimal të shpenzimeve.

Partia e dytë për të cilën u konstatuan shkeljet më të rënda sa i përket sanksioneve financiare ishte Partia Demokratike. Kështu, Celibashi kërkoi gjobitjen e partisë më të madhe opozitare me 500 mijë lekë.

Sipas raportit të KQZ, demokratët kishin parregullsi në dokumentet e depozituara për të justifikuar shpenzimet e fushatës, për të cilën Celibashi propozoi dy gjoba me vlerë finale prej 700 mijë lekësh.

Projektvendimi kishte më shumë se dy muaj që “flinte” në tryezën e KQZ-së, të cilën Celibashi e justifikoi me vështirësitë që paraqesin dispozitat për financimin e partive politike, që sipas të gjitha gjasave nuk do të ndryshojnë.