Roaming është marrëveshja e parë që është nënshkruar në samitin e BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tiranë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shpjegoi edhe mënyrën se si procesi do të zhvillohet. Teksa paralajmëroi për një tjetër vit të vështirë hidrik, ministrja Balluku vlerësoi paketat ndihmëse të Bashkimit Europian në drejtim të sektorit energjetik.

Në simbolikë me vetë misionin e “Unionit”, atë të një “Europe pa Kufij”, Roaming u bë marrëveshja e parë e firmosur në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, shpjegoi për A2 edhe mënyrën se si procesi për heqjen e tarifës “Roaming” mes vendeve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet.

“Nga tetori të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësi të trajtohen si të gjithë qytetarët europianë në zonën e Roaming që janë në marrëveshje. Kontribuon në digjitalizimin e BE-Ballkani Perëndimor, një akt konkret që nga tetori do të jetë e prekshme, do ketë reformime të herëpashershme. Të gjithë operatorët janë të përgatitur. Fillon me reduktim të tarifave dhe kalon me Free Roaming. Brenda 2024 do të jetë falas. Kemi mirëkuptuar disa nga operatorët dhe afatet janë të vështira për t’u dhënë nga politikëbërësit”. 

Teksa paralajmëroi për një tjetër vit të vështirë hidrik, ministrja Balluku vlerësoi paketat ndihmëse të Bashkimit Europian në drejtim të sektorit energjetik.

Në samitin e 27 vendeve anëtarë të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, parashikohet të ndahen së paku 2.5 miliardë euro, kryesisht për energjinë në Rajon.