Të paktën 155 persona janë lënduar pasi dy trena u përplasën me njëri-tjetrin në Barcelonë të Spanjës. Kjo është konfirmuar për mediat nga shërbimet e emergjencës. Përplasja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, në afërsi të një stacioni trenash në Katalonjë.

Mediat lokale raportojnë se trenat po udhëtonin në të njëjtin drejtim dhe përplasja ndodhi ndërsa njëri prej tyre u parkua në stacion.

Policia katalanase po heton lidhur me incidentin. Nga të prekurit, 5 persona kanë raportuar lëndime serioze dhe vetëm 3 prej tyre janë dërguar në spital për kurim.

Udhëtarët që përjetuan incidentin pohuan për mediat lokale se pas përplasjes në vagonë kishte shpërthyer kaosi.

Incidenti detyroi të aktivizohej plani i alarmit të Mbrojtjes Civile për aksidentet hekurudhore.

Presidenti i qeverisë rajonale të Katalonjës, Pere Aragonès i Garcia, bëri thirrje për “shpjegime” urgjente për shkaqet e rrëzimit nga operatori hekurudhor Renfe dhe qeveria spanjolle.

Ministrja spanjolle e Transportit Raquel Sánchez tha se ajo po monitoronte nga afër situatën dhe u uroi “shërim të shpejtë” të plagosurve.