Shanset për nxjerrjen e të mbijetuarve të tjerë nga rrënojat e një pallati të goditur nga raketat në Dnipro të Ukranës, janë minimale. Këtë e tha kryebashkiaku i qytetit lindor, ku shembja e godinës 9- katëshe të banimit, si pasojë e sulmit të Moskës ditën e shtunë, ka shkaktuar të paktën 35 viktima. 35 të tjerë janë ende të humbur ndërsa rreth 75 të mbijetuar kanë marrë plagë të ndryshme. Presidneti Volodimir Zelensky tha se operacioni i kërkim-shpëtimin do të vazhdojë, ndërsa njoftoi se mes viktimave ka edhe fëmijë. 

“Deri në këtë moment, fati i më shumë se 30 personave që mund të kenë qenë në godinë kur terroristët e sulmuan atë, mbetet i panjohur”, tha Zelensky.

Dhjetëra njerëz u nxorën nga rrënojat përfshirë 6 fëmijë. Mes viktimave është edhe një vajzë 15-vjeçare. Në videomesazhin e publikuar mbrëmjen e së dielës, presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, tha se kishte marrë mesazhe solidariteti nga e gjithë bota, por dënoi atë që e quajti “heshtje frikacake” të popullit rus mbi sulmin e Dnipros.

Zelensky iu drejtua rusëve në gjuhën e tyre. “Dua t’iu drejtohem atyre në Rusi ose nga Rusia, të cilët nuk thanë asnjë fjalë për të dënuar terrorin; edhe pse po e shohin qartë gjithçka po ndodh. Heshtja juaj frikacake, do të marrë fund me të njëjtën terroristë, të cilët do të vijnë një ditë për ju”.

Kievi, Kharkivi dhe Odesa u goditën gjithashtu gjatë sulmeve të së shtunës, që sipas Moskës kishin shënjestruar infrastrukturë ushtarake dhe energjetike.

Presidenti Putin deklaroi të dielën se në Ukrainë, gjithçka po shkon sipas planit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit. Ai lavdëroi forcat ushtarake të Moskës pas pretendimeve se kanë fituar kontrollin në Soledar, dhe pas sulmeve në Dnipro, duke e cilësuar si pozitive, dinamikën në Ukrainë.