Kryeministri britanik Boris Johnson paralajmëroi të enjten gjatë një vizite në selinë e NATO-s, se Evropa po përballet me krizën e saj më të rëndë të sigurisë në dekada dhe u angazhua për dislokime të mëtejshme ushtarake në Evropën Lindore në përgjigje të grumbullimit të trupave ruse në kufirin me Ukrainën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, shumë analistë thonë se veprimet e Moskës i kanë bërë më të forta marrëdhëniet brenda aleancës së NATO-s.

Anije dhe avionë luftarakë të 28 vendeve anëtare të NATO-s bënë një stërvitje në brigjet italiane në fillim të këtij muaji. Aleatët e NATO-s po vendosin personel ushtarak dhe pajisje në gjithë Evropën Lindore.

Britania po forcon dislokimet në Estoni dhe Poloni dhe po shqyrton mundësinë e dërgimit të trupave të tjera në Evropën Juglindore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s përshëndeti ofertën e Britanisë.