Premier Liga në të ardhmen e Neymar. Pasi shpenzoi afro 600 milionë euro në merkato, pronari i Chelsea, Todd Boehly, tashmë kërkon të transferojë në Londër edhe yllin brazilian.

Lajmi është bërë i ditur nga “Le Parisien”, sipas të cilës, miliarderi amerikan u takua në kryeqytetin francez me presidentin e Paris Saint Germain, Nasser Al-Khelaifi. Tema e diskutimit ishte mundësia e blerjes së sulmuesit gjatë merkatos së verës.

Boehly është një tifoz i deklaruar i Neymar dhe në takimin me drejtuesin e kampionëve të Francës ka kuptuar se lojtari nuk cilësohet i pashitshëm nga PSG. Për më tepër që vlera e kartonit është mjaft e volitshme, pasi çmimi ka zbritur në vetëm 60 milionë euro.

Kjo është një shifër të cilën te Chelsea nuk do të kishin asnjë problem ta investonin. Neymar ka kontratë me Paris Saint Germain deri në vitin 2025 dhe mbetet një prej lojtarëve më të kushtueshëm në botë.

Gjithsesi, transferimi i brazilianit në Premier Ligë mund të varet nga e ardhmja e Lionel Messit. Kontrata e argjentinasit në Parc de Princes përfundon gjatë verës dhe parisienët nuk mund t’i lejojnë vetes të humbasin dy yje menjëherë.