“Everything Everywhere All at Once” duket se shtron rrugën e sigurt drejt triumfit edhe në çmimet Oscar, pasi rrëmbeu edhe 4 çmime të tjera në ceremoninë e çmimeve më prestigjioze të ekranit amerikan, çmimet SAG. Aventura e Multiversity, fitoi çmimin e filmit më të mirë, në ceremoninë që u mbajt në Los Angelos ndërsa yjet e filmit u vlerësuan po ashtu me çmime. Michelle Yeoh u nderua me çmimin e aktores më të mirë femër, duke mposhtur rivalen e saj kryesore, Cate Blanchett.

“Ky çmim nuk është vetëm për mua, por për çdo vajzë të vogël që duket si unë”, tha Yeoh në fjalimin e saj.

Ylli tjetër i filmit, Ke Huy Quan u bë aktori i parë aziatik që fiton një çmim si aktori më i mirë, jo protagonist, ndërsa aktorja më e mirë femër, për një rol jo protagonist, u shpall Jamie Lee Curtis. Këto çmime, konsiderohen si shumë të rëndësishme, përpara mbrëmjes së 12 marsit, kur në Los Angelos, yjet botërore do të mblidhen për ceremoninë e çmimeve Oskar.

Dhe 4 çmimet SAG për “Everything Everywhere All at Once” duket se janë sinjali, se filmi i regjisorëve Daniel Këan e Daniel Scheinert, me buxhet prodhimi 25 milionë dollarë, do të triumfojë këtë vit. Në çmimet SAG, Brendan Fraser u shpall aktori më i mirë mashkull, për rolin në filmin “The Whale”.

Fituesit e çmimeve SAG, votohen mes njëri-tjetrit, pra aktorët votohen nga kolegët e tyre aktorë.