Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, kërkoi që partitë politike dhe Kuvendi të bëjnë ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor dhe të trajtojnë çështjen e aktivitetit të fushatës zgjedhore në mediat online dhe rrjetet sociale.

“E dimë shumë mirë që mediat sociale kanë fituar terren në këtë fushë dhe legjislacioni ynë nuk ka asnjë rregull që t’i imponohet sjelljes së këtyre mediave. Ndaj shpresoj që edhe ky aspekt të trajtohet në kudër të reformës elektorale”, tha Celibashi.

Sipas tij nuk ka asnjë rregullim ligjor për aktivitetin në këto platforma, ndaj duhet që këto problematika të adresohen nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

“Edhe pse rrjetet sociale nuk e kanë rregullimin që duhet të kenë, mendoj që kjo nuk i pengon partitë politike dhe Kuvendin e Shqipërisë që të adresojë çështjen e raportit të partive politike, fushatave elektorale dhe medias online e rrjeteve sociale”, shtoi Celibashi.