Lajmi se Shtetet e Bashkuara shpallën ish-presidentin Sali Berishën dhe familjen e tij si të padëshirueshëm për Amerikën, është pasqyruar në mediat prestigjoze ndërkombëtare.

Në artikullin e saj Reuters shkruan se Berisha nuk përballet me ndonjë procedim penal. Përmend si sukses vendimin e Brukselit për t’i dhënë  Shqipërisë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian në 2014. Media shkruan se që atëherë është bërë pak përparim, kryesisht për shkak të dështimit për të zbatuar reformat.

Edhe Asosiated Press ka pasqyruar lajmin për ndëshkimin e familjes Berisha. Kjo agjensi shkruan se Berisha ishte udhëheqësi i parë i Partisë Demokratike, e qendrës së djathtë, e cila u krijua në Dhjetor 1990 pas protestës studentore që rrëzoi regjimin komunist të vendit.

Më tej thuhet se lufta ndaj korrupsionit ka qenë “thembra e Akilit” të Shqipërisë post-komuniste, duke ndikuar fuqimisht në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Specifikon se Berisha është zyrtari i katërt i Shqipërisë, që ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara për shkak të dyshimeve të përfshirjes në korrupsion, pas ish-prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla, ish-ligjvënësit Tom Doshi dhe, ish-kryetarit të bashkisë Durrës Vangjush Dako.

Gazeta frankofone për Ballkanin shkruan se Berisha ka qenë figurë kujdestare e së djathtës shqiptare, dhe se vendimi i Shteteve të Bashkuara është një befasi për kohën, sepse ai nuk ka luajtur një rol kryesor politik për gati dhjetë vjet.

Ndërsa mediat në Serbi e kanë cilësuar vendimin e DASH si “Brryli amerikan që tronditi shqiptarët”.