Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion antidrogë në Tiranë, në kuadër të të cilit kanë rënë në pranga 20 persona. Ndërkohë, është publikuar edhe harta e shpërndarjes së kokainës, hashashit dhe heroinës në kryeqytet.

Mes të ndaluarve mësohet se janë edhe disa femra, ndërsa nga ky aksion janë goditur dy grupe që operonin në zona të ndryshme të kryeqytetit në shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Policia bëri më dije së janë sekuestruar 2 kg kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, 5 mln lekë, 11 automjete dhe 29 aparate celulari. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike në Tiranë dhe Kamëz, afër shkollave, lokaleve të natës dhe ambiente të tjera.

Kreu i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, bëri me dije detajet e operacionit, ndërsa ftoi qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë për goditjen e rasteve abuzive dhe kriminale.

Të arrestuarit janë: Fabian Qoku, Redi Lolaj, Eduard Hysa, Dorjano Çela, Enver Mehmeti, Fatbardh Bardhi, Martin Kuka, Marsel Gjona, Mariglen Hoxha, Muharrem Tarushi, Polikron Shabani, Erion Xhaxho, Altin Llani, Jurgen Hasamataj.

NJOFTIMI I POLICISË SË SHTETIT:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj në konferencë për shtyp në lidhje me finalizimin me sukses pas një hetimi tremujor të operacionit policor të koduar “Harta”.

Jam sot këtu së bashku me Zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar, Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë dhe shefin e Sektorit të Krimit të Organizuar, për të bërë prezente rezultatet e megaoperacionit të koduar “Harta”, në kuadër të të cilit u goditën dy grupe që shpërndanin lëndë narkotike kanabis, heroinë e kokainë në zona të ndryshme të Tiranës, në lokale nate, si dhe afër shkollave. 

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në inteligjencën informative për dy grupe personash që vepronin në formën  e grupeve kriminale duke e ushtruar veprimtarinë kriminale në fushën e narkotikëve, në muajin janar kanë referuar materialet në Prokurori e cila ka regjistruar dy procedime penale në fushën e narkotikëve.

 Pas një hetimi tremujor, me metoda speciale të hetimit nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentinin e veprimtarisë kriminale të dy grupeve që përbëheshin nga 24 persona.

 Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Harta”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga 20 persona, si dhe u shpallën në kërkim 4  të tjerë.

Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit: F. Q,. 39 vjeç , D. I., 23 vjeç 3. R. L., 22 vjeç, E. H., 25 vjeç, D. Ç. 31 vjeç, E. M., 60 vjeç, F. B., 37 vjeç, M. K., 35 vjeç, M. Gj., 31 vjeç, M. H., 39 vjeç, M. T., 31 vjeç, P. Sh., 40 vjeç, E. Xh., 47 vjeç, A. Ll., 45 vjeç, A. Xh., 51 vjeç, I. L., 26 vjeç, M. V., 44 vjeç, F. P., 25 vjeç, E. K., 35 vjeç, J. H., 32 vjeç. Gjithashtu, u shpallën në kërkim 4 shtetas të tjerë.

 Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kilogramë e 120 gramë kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, shuma parash rreth 5 miljonë lekë të vjetra, 1700 euro, 11 automjete dhe 29  aparate celulare.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin vepronin të ndarë në grupe të vogla dhe shpërndanin lëndë narkotike në zona të ndryshme të Tiranës dhe Kamzës, afër shkollave, lokaleve të natës e ambienteve të tjera të frekuentuara nga të rinjtë.

Po nga hetimet rezulton se pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale përdornin mesazhe të koduara dhe kryesisht qarkullonin me automjete të transportit publik për të shmangur kontrollet e befasishme të Policisë. 

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë  e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.

Theksojmë faktin se gjatë 3 muajve të parë të këtij viti janë finalizuar 5 procedime proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë, janë  mbi 6 kilogramë kokainë e heroinë dhe rreth 80 kilogramë kanabis, si dhe janë vënë në pranga mbi 20 persona. Rezultatet e arritura tregojnë angazhimin, përkushtimin dhe vendosmërinë e strukturave  të Hetimit të Narkotikëve në DVP Tiranë për të goditur këtë veprimtari kriminale.