Bota duhet të dëgjojë zërin e Kinës në mënyrë që të gjendet një mënyrë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Kështu është shprehur ditën e sotme, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Duke folur disa ditë përpara vizitës së tij zyrtare në Pekin, Sanchez deklaroi: “Kina është një aktor global, kështu që natyrisht që ne duhet ta dëgjojnë zërin e saj për të parë nëse mes të gjithëve ne, mund t’i japim fund kësaj lufte dhe Ukrainë mund ta rimarrë integritetin e saj territorial.”

Lideri spanjoll pritet që të vizitojë kryeqytetin kinez më 31 mars për bisedime me presidentin Xi Jinping.

Në fokus të bisedës mes dy liderëve pritet që të jetë kryesisht lufta në Ukrainë, në të cilën Kina e ka përshkruar veten si “e paanshme” dhe ka prezantuar një plan paqeje me 12 pika ndërsa është bërë thirrje edhe për një armëpushim.

Kujtojmë se Sanchez e ka mbështetur publikisht planin e presidentit Zelensky për paqe, në të cilin përfshihet kërkesa për të rikthyer territorin e Ukrainës në status quo-në që ishte përpara aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.