Zëri i fundit kundër Putinit në Rusi u hesht. Gjykata e Moskës dënoi me 25 vite burg liderin historik të opozitës, Vladimir Kara-Murza, i cili u arrestua vitin e kaluar sapo dha një intervistë për CNN.

Bashkëpunëtori i ish kryeministrit rus të vrarë, Boris Nemtsov, u shpall fajtor për tradhti, lajme false për ushtrinë dhe bashkëpunim me një organizatë të padëshiruar. Politikani ishte konsideruar më herët dhe si agjent i huaj. “Rusia do të jetë e lirë!”, ishin fjalët e para pas marrjes së dënimit të Vladimir Kara-Murza, që është slogani i Aleksey Navalnit, një tjetër opozitar i njohur në Rusi, i cili gjendet në burg.

Vetëm 2 kilometra nga gjykata, në Kremlin, presidenti Vladimir Putin, priti ministrin kinez të mbrojtjes, Li Shangfu. Palët vlerësuan bashkëpunimin në fushën ushtarake mes dyja vendeve dhe nënvizuan se kjo është shenjë e një partneriteti pa limite. Kryegjenerali i Kinës nënvizoi se raportet mes Pekinit dhe Moskës kanë hyrë në një epokë të re dhe se lidhjet janë më të forta se kurrë më parë. Pasi përcolli zyrtarin, Putin përcaktoi prioritetet për ushtrinë ruse bashkë me kryegjeneralin e tij, Sergei Shoigu.

“Prioriteti kryesor për forcat tona të mbrojtjes është i qartë për ne. Para se gjithash, është Ukraina dhe gjithçka që ka të bëjë me mbrojtjen e popullit tonë në rajonin e Donbasit dhe në territoret tona të reja. Por nuk duhet të ndalojmë së zhvilluari marinën tonë detare, përfshirë flotën e Paqësorit”, tha Putin.

Ministri i Mbrojtjes e informoi atë për stërvitjet në paqësor, ku u përfshinë 160 anije, mes tyre 12 nëndetëse, 25 mije persona, 89 avionë dhe helikopterë. Lidhur me ato manovra, Japonia dërgoi në Moskë një notë proteste.