Dermatologët po shohin një rritje të numrit të njerëzve që zhvillojnë alergji të shkaktuara nga manikyrat me xhel që rrjedhin në lëkurë. Sipas tyre kimikatet e përdorura në manikyrët me xhel, të njohura si metakrilate, mund të shkaktojnë një reaksion alergjik që çon në lirimin e thonjve, skuqje të rëndë të lëkurës dhe kruarje.

Por alergjitë ndaj këtyre kimikateve po i pengojnë të kenë qasje në disa trajtime mjekësore, duke përfshirë heqjen e kataraktit, implantet e kyçeve dhe ato dentare, paralajmëruan sot ekspertët britanikë.

Ata që vuajnë nga ky reagim nuk janë në gjendje të tolerojnë ekspozimin ndaj kimikatit, i cili përdoret në procedurat rutinë si mbushjet dhe implantet.

Metakrilati është një përbërës kyç, i cili përdoret për të stabilizuar implantet e ijeve dhe të gjurit ose si mbushës kockash gjatë operacioneve të zëvendësimit të kyçeve. Në stomatologji, përdoret gjithashtu për mbushje dhe implante dentare.

Por gjatë manikyrave me xhel, kimikatet mund të hyjnë në lëkurë kur llambat ultravjollcë të përdorura për ngurtësimin e çdo shtrese xheli, nuk përdoren për një kohë të mjaftueshme ose pajisja mirëmbahet keq.

Nëse xheli nuk “kurohet” mjaftueshëm, një reagim ndaj kimikateve mund të ndodhë në lëkurën rreth thonjve. Dhe kushdo me alergji nuk mund të kryejë procedura mjekësore në të cilat përdoren metakrilatet.  

Sipas ekspertëve njerëzit mund të përjetojnë një sërë simptomash: “Mund të variojë nga lirimi i thonjve deri tek rënia, mund të përfshijë një skuqje të rëndë në fytyrë, qafë, pjesën e sipërme të gjoksit. Njerëzit mund të kenë probleme me frymëmarrjen ose astma mund të përkeqësohet”, tha dermatologia Deirdre Buckley për BBC.

Në raste, ata që janë alergjikë ndaj thonjve me xhel mund të përjetojnë gjithashtu buzë të fryra, plagë në gishta ose kutikula të kuqe dhe të fryra.

Dermatologët, të cilët paralajmërojnë se rastet e reagimit janë në rritje, sot u kërkuan britanikëve që të merrnin një manikyr me xhel vetëm nga një profesionist i trajnuar plotësisht.

Në vitin 2018, Shoqata Britanike e Dermatologëve paralajmëroi se kimikatet metakrilate po shkaktonin një “epidemi alergjie”.

Ndërsa në fillim të këtij viti, studiuesit në Universitetin e Kalifornisë San Diego zbuluan gjithashtu se tharëset e manikyrit me rreze ultraviolet (UV) mund të paraqesin më shumë shqetësim për shëndetin publik sesa mendohej më parë dhe mund të shkaktojnë kancer. Ata zbuluan se përdorimi i tyre çon në vdekjen e qelizave dhe mutacione që shkaktojnë kancer në qelizat njerëzore.