Eksportet e mallrave shqiptare janë ulur në mars për herë të parë që nga nisja e luftës në Ukrainë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vlera e mallrave të shitur jashtë, muajin e shkuar, ra në 42.1 miliardë lekë nga 47.7 miliardë, vitin e shkuar, duke u tkurrur kështu me 11.7 për qind.

Në rënien e eksporteve ndikim kanë pasur materialet e ndërtimit, metalet, mineralet, lëndët djegëse, veçanërisht energjia elektrike dhe materialet plastike. Ndërkohë me gjithë se me rritje të lehtë edhe ushqimet e pijet apo tekstilet, shfaqën në mars shenja stanjacioni.

Pjesa më e madhe e këtyre produkteve rezulton të ketë shkuar drejt Spanjës, vend me të cilin eksportet u zgjeruan me 170 për qind muajin e shkuar, ndjekur nga Greqia me 28 dhe Kosova me 2 për qind. Ndërkohë kanë rënë eksportet e Kroacisë, Gjermanisë dhe Italisë.

Në linjë të ngjashme kanë ecur edhe importet. Vlera e mallrave të blerë nga jashtë, muajin e shkuar, ra në 80.5 miliardë lekë nga 83.6 miliardë marsin e 2022-shit duke u tkurrur me 3.7 për qind.

Rënia e eksporteve me importet ende në nivelet më të lara historike zgjeruan në 38.4 miliardë lekë deficitin tregtar të Shqipërisë në drejtim të tregtisë së jashtme gjatë marsit.