Teknologjia në zgjedhje tashmë nuk është një risi në Shqipëri dhe në tre bashkitë ku do të implementohet votimi dhe numërimi elektronik ka nisur testimi i pajisjeve.

Elbasani është bashkia më e madhe ku do të zbatohet kjo teknologji, me 224 qendra votimi për rreth 171 mijë votues.

Ilirjan Celibashi kishte vajtur për të parë nga afër se si funksionon pajisjet, por u kthye në një trajnues për moshat e treta.

Nëse deri para disa muajsh sfida më e madhe ishte gjetja e parave për blerjen e teknologjisë, tani sfidë është gjetja e operatorëve që të thjeshtësojnë përdorimin e saj.

Por a është e sigurt vota në këto pajisje teknologjike?

“Mund të them që siguria është me e madhe nëpërmjet votimit me anë të kësaj pajisjeje sesa nëpërmjet votimit me fletën e votimit nëse do teorikisht do të diskutojmë,” tha Celibashi për gazetarët.

Po ashtu, sipas tij fituesi do të mësohet 30 minuta pas mbylljes së procesit të votimit. Institucioni nga ana e tij është i sigurt në suksesin e testit të tretë elektoral, por banorët e Elbasanit kanë dilema në përdorimin e saj.

Krahas Elbasanit, votimi dhe numërimi elektronik do të shtrihet edhe në Bashkitë e Vorës dhe Kamzës dhe fituesi do të mësohet që në orën 19:30 të datës 14 maj.