Bankat duhet të tregojnë më shumë kujdes, teksa rritja e normave të interesit po ndryshon tërësisht fushën e lojës. Banka e Shqipërisë percepton rreziqe të shtuara në ekonomi, në raportin e fundit të stabilitetit financiar.

Shenjat e para janë shfaqur tek kreditë e reja, ku kërkesa ka rënë me 4.6%, por norma e refuzimit është rritur në 20.2% të aplikimeve. Kjo pasi përballë jetesës së shtrenjtuar aftësia paguese e familjeve ka rënë, ndërsa tek bizneset ngarkesa me borxh është rritur edhe për shkak të kostove më të larta.

Banka e Shqipërisë vlerëson se cilësia e kredisë pritet të përkeqësohet, që nënkupton se në të ardhmen mund të përballemi me një rritje të huave me probleme. Por rreziqet nuk përfundojnë këtu. Luhatjet e forta në tregun e këmbimit valutor dhe zhvillimet e mundshme të tregut të pasurive të paluajtshme mund të cënojnë themelet e sistemit.

Çmimet e pronave në fakt janë ulur me mbi 11% në Tiranë në fund të 2022-it, krahasuar me gjysmën e parë të vitit. Ndërsa agjentët imobiliarë raportojnë sinjale mikse, si rritja e shitjeve, por edhe ulja e kërkesës për blerje shtëpish, kur shumë individë presin stabilizimin e interesave.

Në skenarin e moderuar të stres testit, Banka e Shqipërisë vlerëson se 6 banka mund të hasin vështirësi, që mund të kërkonte një injektim kapitali prej mbi 100 milionë euro. Një shifër jo e vogël për sistemin bankar në vend, arsye pse banka qendrore apelon për rritje të vëmendjes ndaj rrezikut të kredisë dhe kërkon rritje kapitali nga bankat.