Ka zgjatur vetëm pesë ditë ringritja e euros në raport me lekun. Dita e dytë e kësaj jave e gjen monedhën evropiane përsëri në kurbë rënëse, teksa kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë e fikson atë në nivelin e 107.19 lekëve.

Kjo përbën një rënie të fortë me thuajse 0.8 pikë, teksa leku u forcua edhe në raport me valutat e tjera. Në pikat e këmbimit valutor, euro blihet për mesatarisht 106.8 lekë dhe shitet për 107.6 lekë.

Ekspertët e tregut financiar e lidhin këtë mbiçmim të lekut dhe rënie të euros me fluksin e madh të turistëve. Ndërsa Banka e Shqipërisë nga ana e saj thotë se zhvlerësimi i euros është reflektim i ofertës se shtuar të valutës, përfshirë nga investimet e huaja dhe dërgesat e emigrantëve.

Eksportuesit, që renditen ndër më të dëmtuarit nga kjo situatë, përllogarisin humbje të mëdha në marzhet e tyre të fitimit dhe i druhen ecurisë së mëtejshme të kursit.