Ne nuk paguajmë për fosilet, vendi ynë po vdes“, ishte thirrja që shoqëroi një sulm të ambientalistëve ndaj simbolit të Romës, shatërvanit të famshëm “Fontana di Trevi”.

Pamjet që tregojnë mbi 10 anëtarë të grupit ambientalist “Gjenerata e Fundit” duke hyrë në ujë dhe ngjyrosur atë me bojë të zezë, janë bërë virale në rrjet.

Përveç aktit me bojën e zezë, ambientalistët e rinj u përplasën me kalimtarët dhe turistët që dënuan veprimet e tyre, duke i fyer ata.

Policia lokale ndërkohë, ndërhyri duke e ndërprerë protestën.

Sakaq, kryetari i bashkisë së Romës Roberto Gualtieri dënoi sulmin duke e konsideruar absurd.

Mjaft me këto sulme absurde ndaj trashëgimisë sonë artistike. Sot shatërvani i Trevit është i ndotur. Restaurimi është i kushtueshëm dhe kompleks. Ftoj aktivistët të konkurrojnë në një terren konfrontues pa vendosur monumentet në rrezik”, tha Gualtieri.

Sa i përket ndonjë dëmi të mundshëm mbi monumentin simbol të kryeqytetit italian ai deklaroi: “Fatmirësisht vlerësimi i parë është që të mos ketë dëme të përhershme sepse boja e zezë është depozituar rreth e qark materialit hidroizolues, jo mbi mermer dhe duhet të bëhet e mundur heqja e tij pa dëmtime të përhershme. Rreziku është kur shkon në mermer që është poroz”.