Tenistja ukrainase Elina Svitolina, i ka dalë në mbrojtje serbit Novak Djokovic për deklaratat që ai bëri për Kosovën pas ndeshjes së raundit të parë të Roland Garros.

Sipas ukrainases, vendi i së cilës është sulmuar nga Rusia, Djokovic ka të drejtë të japë mendimin e tij, pasi jetojmë në një botë të lirë.

28-vjeçarja, e cila ka kërkuar nga organizatorët e turneut francez që të përjashtojnë tenistët rusë dhe bjellorusë, u shpreh: “Jetojmë në një botë të lirë, kështu që secili mund të japë mendimin e tij mbi një çështje të caktuar. Edhe në kafe kur ulemi me shokët, secili ka mendimin e vet dhe e thotë lirshëm, apo jo?”.

Të hënën, Djokovic shkroi në kamera “Kosova është zemra e Serbisë” menjëherë pasi përfundoi ndeshja ndaj Kovacevic, në të njëjtën ditë kur dhjetëra ushtarë të KFOR-it u plagosën në përplasje me protestuesit serbë në Zveçan.

Pas kësaj, ministrja franceze e Sportit, Amélie Oudéa-Castera, kritikoi tenistin serb, duke theksuar se nuk lejohen mesazhet politike në Roland Garros.