Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, kërkoi zgjerimin e vendeve pjesëmarrëse në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ai pretendoi se Perëndimi zotëron shumicën e ulëseve në tryezën ku diskutohen fatet e botës, ndërsa lëshoi akuzën se blloku rival po pengon ndërtimin e një rendi të ri botëror nga Rusia.

“Duhet të sjellim organet kryesore të Kombeve të Bashkuara në linjë me realitetet aktuale. Dua të them, para së gjithash, duhet një reformë në Këshillin e Sigurimit, ku Perëndimi përfaqësohet në mënyrë disproporcionale.

Nga 15 vende anëtare, i ashtuquajturi Miliardi i Artë zotëron 6 ulëse. Nuk është e drejtë dhe as e barabartë. Prandaj ne duhet të zgjerojmë Këshillin e Sigurimit sa më parë që të jetë e mundur për të futur aty shtete nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine.

Ne aktualisht po dëshmojmë një dëshirë të ashpër për të frenuar ngritjen e Rusisë si një qendër e pavarur e një rendi botëror multipolar. Lidhur me këtë, perëndimi prej shumë vitesh ka përgatitur dhe organizuar një luftë me duart anglo-saksone përmes regjimit nazist të Kievit kundër vendit tonë”, tha Lavrov.