Rritja e temperaturave në këtë javë që po lëmë pas, ka rritur fluksin e vizitorëve në Pogradec. Më të shumtë janë mosha e tretë që preferojnë të kalojnë disa ditë pushimesh buzë liqenit dhe që vijnë thuajse nga e gjithë Shqipëria, Tirana, Durrësi e madje edhe nga Shkodra.

Përveç asaj që Pogradecit ja ka dhënë zoti, ajrin dhe liqenit, të moshuarit vlerësojnë shumë edhe pastërtinë si dhe shtimin e plazheve publike pa pagesë. Por siguria në plazhe si ato publike dhe private mbetet shqetësim për këta pushues.

Ata shprehen se vrojtuesit duhet të jenë të certifikuar dhe të jenë më të shumtë përgjatë bregut të liqenit. Ditët e nxehta në vijim të këtij korriku, pritet që të popullojnë akoma më shumë qytetin liqenor, i cili përveç të tjerave ofron edhe një mikpritje dhe kuzhine tradicionale.