Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit vranë një person në Utah, i cili kishte kërcënuar se do të ekzekutonte presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, kur ai të vizitonte qytetin e tij.

Efektivët e FBI-së shkuan në shtëpinë e të dyshuarit Craig Deleeuw Robertson në Provo, në jug të qytetit Salt Lake, por menjëherë hasën në rezistencën e të moshuarit, i cili hapi zjarr ndaj tyre, pas disa minutash ai mbeti i vrarë.

E gjitha nisi, pasi Robertson kishte postuar një kërcënim në rrjetet sociale, ku shkruante se kishte dëgjuar se në Utah do të vinte presidenti Biden dhe për këtë arsye do të ishte lëvizja e duhur nëse do të vishte kostumin e kamuflazhit dhe të pastronte pushkën snajper M24 nga pluhuri.

Ai më herët kishte shprehur mbështetjen ndaj ish-presidentit Trump dhe kërcënonte të gjithë zyrtarët ligjzbatues që janë duke e hetuar.

Fqinjët e viktimës tregojnë se ai ishte i moshuar, i dobët dhe ecte me ndihmën e një shkopi dhe nuk mendonin se ai mund të ishte një kërcënim real sa mund të vriste presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Sipas autoriteteve, Robertson kishte shkruar në Facebook në shtator të vitit 2022 se është koha e duhur për një ose dy vrasje presidenciale. “Së pari Joe, pastaj Kamala!!!” Postimi i tij është përfshirë në dosjen e dorëzuar në gjykatë. Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë nuk përmendet asnjë avokat i të pandehurit Craig Deleeuw Robertson.

Nuk janë publikuar detaje të mëtejshme në lidhje me të shtënat, të cilat janë duke u analizuar nga FBI-ja.