Rusia nuk ka gisht në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit dhe as nuk e ka udhëzuar Serbinë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor. Këtë e tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pasi u pyet nga gazetarët në Shkup të Maqedonisë së Veriut, lidhur me pretendimet se synon të shkaktojë trazira në rajon. Ai akuzoi perëndimin se po zhvillon një luftë hibride kundër Rusisë”, duke pretenduar se po fajëson Moskën për të gjitha problemet në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, është perëndimi që ka pasur gjithmonë interes të nxisë kombet kundër njëri-tjetrit. Lavrov mohoi gjithashtu pretendimet se kishin nënshkruar harmonizim të politikave mes Moskës dhe Beogradit në Nju-Jork.

“Marrëveshja me Serbinë nuk ishte përafrim i politikave, por plan konsultimi. Nuk kishte të bënte me harmonizimin e politikave, ai ishte vetëm një plan konsultimi. Gazetarët që ishin aty nga Serbia dhe nga Rusia, po na filmonin teksa firmosëm planin, por Uashingtoni reagoi menjëherë duke thënë: si guxoni ju serbët, si guxoni të nënshkruani një plan konsultimi me Rusinë, si shtet agresiv?”, u shpreh Lavrov.

Teksa përmendi përpjekje serioze për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë gjatë kohëve të fundit ai shtoi se Rusia mbështet çdo marrëveshje që është e përshtatshme për serbët dhe fqinjët e tyre.

“Kohët e fundit ka pasur konsiderata serioze për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Serbisë Jugore dhe Kosovës. Nëse po flasim për ndonjë marrëveshje që do të ishte e përshtatshme për serbët dhe fqinjët e tyre, atëherë mendoj se të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe ne, do të ishin të lumtur dhe do ta mbështesnin këtë. Ndoshta jo të gjitha vendet, por shumica”, theksoi Lavrov.

Duke komentuar largimin e Blinken dhe Borrell nga samiti i OSBE-së në Shkup, në mënyrë që të mos përballeshin me të, Lavrov i cilësoi ata si frikacakë që u tremben bisedave të sinqerta dhe fakteve.