Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu deklaron se askush nuk do ta ndalë në luftën për të shkatërruar militantët e hamasit. Në ditën e 100 të luftimeve ai tha se nuk pajtohej me Gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë, ku ai akuzohet për gjenocid, e cila mund ta urdhërojë të ndalë sulmet.

“Askush nuk do të na ndalojë, as Haga dhe as boshti i së keqes. Pretendimet për gjenocid, të paraqitura nga Afrika e Jugut të enjten janë një sulm hipokrit, me urdhër të atyre që erdhën për të kryer një tjetër holokaust kundër hebrenjve. Kjo është një pikë e ulët morale në historinë e kombeve”, tha ai.

Kryeministri Netanjahu pretendon gjithashtu se disa sende antisemitike janë gjetur në tunelet e Hamasit në Gaza, duke përfshirë kopje të “Mein Kampf” të Adolf Hitlerit.

Netanyahu tha se ndërsa antisemitizmi është i njëjtë, populli hebre është i ndryshëm dhe do të luftojë “deri në fund”. Gjithashtu gjatë konferencës për shtyp, Netanyahu theksoi se Izraeli nuk mund ta përfundojë luftën derisa të mbyllë Korridorin e Filadelfit, një rrip toke 14 km që shërben si kufi midis Egjiptit dhe Gazës. Një veprim i tillë do t’i jepte Izraelit kontroll të plotë mbi Gazën. Lejimi i kufirit me Egjiptin që të mbetet jashtë mundësive të Izraelit do të vinte në rrezik përfitimet e tyre të luftë

“Ne do të shkatërrojmë Hamasin, do të çmilitarizojmë Gazën nga pajisjet ushtarake dhe armët e tjera vdekjeprurëse”, shtoi Netanjahu.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme egjiptiane, Ahmed Abu Zeid, ndërkohë, tha se Egjipti mbetet në kontroll të plotë të kufijve të tij në një intervistë me kanalin televiziv egjiptian Sada Al-Balad.