Gati një në dy shqiptarë në vitin 2070 do të jetë mbi 65 vjeç. Nga më pak se 447 mijë aktualisht, numri të moshuarve pritet të arrijë në mbi 1.1 milionë. Sipas parashikimeve të zymta të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të moshuarit mbi 65 vjeç në 2070-n, do të përbëjnë 40 për qind të totalit të popullsisë nga 16.2 për qind aktualisht.

Kjo do të thotë që skema e pensioneve do të shkojë edhe më tej në vështirësi. Nëse nuk do merren masa konkrete, skema do të shkojë drejt rënies pa kthim. Nëse ne në 2020-n ne kishim 1.4 kontribuues për 1 përfitues, treguesi ra në 1.17 kontribuues për një përfitues në marsin e vitit 2022”, tha Klodian Muço, ekspert për ekonominë.

Largimi në masë e i vijueshëm i të rinjve ka bërë që mosha mesatare në vend të zgjerohet, duke u rritur me 3.8 vite vetëm në harkun e viteve 2015-2023.

Në kushtet që zhvillimet demografike nuk po përcjellin ndonjë shenjë optimizmi, Ministria e Financave është duke rishikuar skemën e pensioneve. Kjo me qëllim për të shmangur një kolaps të mundshëm të saj.

Që të rishikohet skema duhet që o të rritesh vitet e punës për dalën në pension, politikë kjo që do të ngjallte reagim në popullatë, ose të rritës kostot. Pra të rritësh kontributet duke ia ngarkuar këtë barrë biznesit dhe administratës publike nëpërmjet rritjes së pagave”, shtoi Muço.