Një protestë homazh është zhvilluar pasditen e sotme pranë Ministrisë së Brendshme, në kujtim të të riut Klodian Rasha, i cili u vra një vit më parë nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, për shkak se ndodhej në rrugë jashtë orës policore, të vendosur si masë kundër përphapjes së Covid.

Qytetarët kanë vendosur qirinj pranë godinës së Ministrisë, si dhe kanë mbajtur në dorë disa pankarta me mbishkrimin “Klodianin e vrau diktatura”. Ndryshe nga sa pritej pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e ulët, ndikuar ndoshta dhe nga temperaturat e ulëta në kryeqytet.

Klodian Rasha, 25-vjeç, u qëllua pas shpine teksa ishte duke u ndjekur nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, i cili është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Shkallës së parë, pasi përfitoi edhe nga gjykimi i shkurtuar, pas pranimit të fajit.

Babai i Klodian Rashës, duke folur për mediat, tha se shteti nuk ka bërë drejtësi për të birin, sa kohë që ende nuk janë gjetur personat që vunë një armë në afërsi të trupit të të riut, për ta përbaltur dhe inkriminuar atë.

Fillimisht u tha se Klodian Rasha ishte person me precedent penal, por me kalimin e ditëve ngjarja u zbardh edhe përmes pamjeve filmike, ku u evidentua se i riu në asnjë moment nuk ka pasur armë, dhe nuk ka tentuar që të gjuajë në drejtim të punonjësve të policisë.

Qazim Rasha paralajmëroi se në rast se shteti nuk do të gjente personat që hodhën baltë mbi djalin e tij, vetë ai do ta bënte këtë gjë, dhe tha se asnjë prind nuk do të guxonte “të shiste gjakun e fëmijës së tij”.

‘Dua të shpreh mirënjohjen për këdo që ka shprehur ngushëllime për familjen time, nuk dua të besoj se në vitin 2021, një nënë, një baba, dhe aq më tepër një malësor si puna ime, të shesë dhe të blejë gjakun e fëmijës së tij.

Unë ju kam deklaruar që në ditën e parë, që në shtëpinë time kam pritur dhe kam përcjellë një numër të madh njerëzish, shteti, jemi banorë të këtij shteti, që e ka për detyrë të bëjë atë që nuk ka bërë derimë tani, zbardhjen e inkriminimit që persona të caktuar, apo segmente të caktuar, u munduan që fëmijën ta përbaltin dhe ta inkriminojnë, sa të vendosnin dhe armën aty.

Sot i kërkoj shtetit, që përbaltjen e djalit, inkriminimin, bën mirë që ta gjejë personin, sa unë nuk kam nisur që ta kërkoj vetë. Lus zotin që tragjedi të tilla të mos provojë askush’, u shpreh Qazim Rasha.

Pas vrasjes së Klodian Rashës në vendin tonë pati një seri protestash, që çuan në dorëheqjen e ministrit të brendshëm të kohës Sandër Lleshaj.