Një 41-vjeçar i identifikuar me inicialet E.K., ka rënë në prangat e policisë së Lushnjes pasi kanosi me armë zjarri dhe qëlloi drejt nënës së tij.

Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Dushk, ai ka kanosur për të vrarë nënën e tij si edhe ka gjuajtur me armë zjarri në oborrin e banesës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje, kanë shkuar menjëherë në  vendngjarje.

41-vjeçari E.K, porsa ka parë shërbimet e Policisë është larguar menjëherë, por pas ndjekjes nga shërbimet e Policisë është lokalizuar në një lokal në fshatin Dushk, Lushnjë, dhe falë ndërhyrjes me profesionalizëm, u bë neutralizimi në kohë i tij dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë me fishekë në fole gati për qitje dhe një krëhër me fishekë luftarak.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia, u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit A. Z., me të cilën autori shoqërohej. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Z., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, 46 fishekë luftarak dhe një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa e ndarë në 31 doza.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. K., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Kanosja”, si edhe shpallën në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit A. Z., 65 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme