Luis Suarez u rikthye në mënyrë madhështore te Nacional, klubi uruguaian ku nisi karrierën në vitin 2005. Sulmuesi iu bashkua ekipit nga Montevideo me ndihmën e mikut të tij, Lionel Messi.

Ylli i Paris Saint-Germain i huazoi çarterin me vlerë 14 milionë euro, në mënyrë që Luis Suarez dhe familja e tij të zbarkonin në vendlindje.

Avioni ka numrin 10 në bisht, ndërsa në shkallë janë emrat e Leo Messi, bashkëshortes Antonela dhe tre djemve Thiago, Ciro e Mateo. Shtatë herë fituesi i Topit të Artë la shenjën e tij edhe në prezantimin e Luis Suarez në stadium, me videomesazhin dedikuar mikut të tij.

Avioni personal i Leo Messi

Qindra fansa dolën ta përshëndesnin Suarez në rrugë, teksa mijëra mbështetës të Nacional e brohoritën nga tribunat e stadiumit.

Sulmuesi 35-vjeçar u kthye në Uruguai me bashkëshorten dhe tre fëmijët, të cilët i qëndruan pranë gjatë gjithë kohës së prezantimit te skuadra e re.

Pasi luajti me Groningen, Ajax e Liverpool, Luis Suarez iu bashkua Barcelonës, ku përjetoi vitet më të suksesshme në karrierë, duke fituar Champions-in dhe katër tituj në Spanjë. Pas një sezoni tek Atletico e Madridit, ai u kthye në vendlindje, për ta udhëhequr Nacional drejt titullit kampion në Uruguai.