Ashtu sikurse u paralajmërua një ditë më parë nga Ilir Meta, Partia e Lirisë ka denoncuar sot një tjetër aferë korruptive në lidhje me çështjen e inceneratorëve. Në një deklaratë për mediat, Briseida Shehaj, e emëruara e kësaj partie si koordinatore e luftës kundër korrupsionit, ka denoncuar transaksione në vlerë 500 mijë euro.

“Është një skemë nga e cila kanë kërkuar të humbasin gjurmët. Sot ende SPAK s’ka vepruar për inceneratorin e Tiranës. I bëjmë thirrje SPAK të hapë regjistrin online të noterëve se do të gjejë jo vetëm emrat e personave nën hetimor, por edhe familjarë të tyre apo të arrestuar që kanë hapur disa kompani në Mal të Zi, pikërisht nëpërmjet këtij procesi me prokura të posaçme. Mbas këtij denoncimi, ne këto dokumente do t’ia kalojmë SPAK-ut. Emrin nuk e bëjmë publik. Ne këto dokumente do t’ia kalojmë dhe zonjës Belinda Balluku dhe kryeministrit që nuk sheh se çfarë firmos se Balluku dhe njësia që monitoron koncesionet, duhet të kishte penguar këto 500 mijë euro para, këto transaksione dhe kompani, këto bilance që i kalonin inceneratorit të Tiranës”, tha Shehaj.